Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ende nuk kanë apeluar vendimin e KQZ-së Kosovë për të mos certifikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas mediave kosovare, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ankesë lidhur me vendimin e KQZ-së një ditë më parë. Vlen të theksohet se partitë kanë afat vetëm 24 orë për të apeluar vendimin e KQZ-së.
Nëse partitë janë të pakënaqur me vendimin e PZAP-së, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme.
Një ditë më parë, KQZ në Kosovë nuk ka certifikuar listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës.
LVV, AAK dhe Nisma nuk janë certifikuar pasi nuk kanë zëvendësuar kandidatët që KQZ njoftoi se janë të papërshtatshëm sipas ligjit për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas ligjit, ata persona që janë dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet.
Mesditën e së mërkurës KQZ-ja e Kosovës njoftoi se 47 kandidatë për deputetë nga 1,079 kandidatë në listat e partive nuk janë të përshtatshëm për të kandiduar.