Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi është një ide e rrezikshme, vlerësoi të mërkurën përfaqësuesi i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një intervistë për Le Monde, Lajçak tha se procesi i dialogut ka pasur paqartësi gjatë vitit 2020 me të dërguarin e Trump, Richard Grenell.
Lajçak shtoi se ‘’Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbështetur gjithmonë rolin udhëheqës të BE-së”. “Me Joe Biden president ka më shumë bashëpunim mes SHBA dhe BE” , shtoi ai.
I dërguari i BE për dialogun u shpreh se kanë rënë dakord me Prishtinën dhe Beogradin që bisdimet të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo teknike.
Lajçak deklaroi se palët kanë folur deri më tani për personat e zhdukur gjatë luftës, si dhe për bashkëpunim ekonomik.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka marrë pjesë në dialog për të marrë njohjen e Serbisë, edhe pas deklaratave të përsëritura nga udhëheqësit e Serbisë se ata nuk do ta njohin vendin.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.