SPAK kërkon 21 vite burg për dy shqiptarët, pastronin paratë e bandës në Danimarkë

Nga Exit News
SPAK kërkon 21 vite burg për dy shqiptarët, pastronin paratë e bandës në Danimarkë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka kërkuar 21 vite burg për Astrit Beqirin dhe Dhimitri Shkodranin, të akuzuar për pastrim parash të një bande kriminale të trafikut të kokainës që vepronte në Europë.

Sipas mediave, SPAK kërkoi 10 vite për Shkodranin dhe 11 vite për Beqirin. Të dy të akuzuarit do të përfitojnë ulje dënimi, pasi gjykata ka pranuar kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.

Hetimet në Shqipëri për pastrimin e parave nisën në shtator 2019, pasi në Danimarkë e Holandë, policitë e dy vendeve arrestuan 42 anëtarë të bandës. Policitë e dy vendeve kapën rreth 40 kilogramë kokainë, mbi 600 mijë euro, armë zjarri, granata dhe disa automjete në pronësi të anëtarëve. Sipas policive të huaja, ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së.

Banda drejtohej nga Jetmir Kastrati, i njohur dhe me emrin tjetër Sokol Krasnici, i arrestuar në Danimarkë. Kastrati është kunati i Astrit Beqirit.

Pas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me prokuroritë daneze dhe holandeze, grupi i strukturuar kriminal i dërgonte paratë e ardhura nga trafiku i lëndëve narkotike nga Kopenhageni i Danimarkës në Tetovë, në Maqedoni e Veriut.

Banda përdorte autobuzët e kompanisë ‘AlbaTrans’, në pronësi të njërit prej të arrestuarve në Danimarkë, B.Ali.

Nga Tetova, paratë merreshin nga Dhimitër Shkodrani për t’i kaluar në pikat kufitare, deri në Shkodër.

Në Shkodër, Astrit Beqiri i investonte paratë në biznese të ndryshme dhe prona të paluajtshme.

Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj.

Beqiri kishte blerë një pulari, e quajtur ‘Rens 2015’, gjashtë shtëpi në Velipojë, gjashtë makina dhe një motorr.

Për të gjitha këto pasuri, SPAK ka arritur në përfundimin se janë blerë me para të ardhura nga aktiviteti kriminal i bandës së Kastratit në Danimarkë.

Ato janë sekuestruar me kërkesë të SPAK-ut dhe vendim të gjykatës speciale.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>