Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel ranë dakord të punojnë së bashku për problemet globale, përfshi ato që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
“Udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku në prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme duke përfshirë Afganistanin, Kinën, Iranin, Rusinë, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor,” thotë një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi i Merkel, Steffen Seibert, tha se në telefonatën e parë me Biden, Merkel “deklaroi gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë përgjegjësi në trajtimin e detyrave ndërkombëtare së bashku me partnerët e saj evropianë dhe transatlantikë”, raporton Deutsche Welle.
Sipas Seibert, Biden dhe Merkel ranë dakord që pandemia COVID-19 dhe sfidat e tjera globale mund të plotësohen vetëm nëse vendet punojnë së bashku.
Merkel është lideri i tretë evropian me të cilin Biden ka biseduar, pas kryeministrit britanik Boris Johnson dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Merkel deklaroi se Gjermania dhe SHBA arrijnë të gjejnë më mirë gjuhën e përbashkët tani që Biden ka zëvendësuar ish-presidentin Trump.
“Thjesht ka një hapësirë shumë më të gjerë për konsensus politik me Presidentin Biden,” u tha Merkel gazetarëve, duke shtuar se veprimet e Biden që nga marrja e detyrës treguan se ai ishte më afër me Gjermaninë.
Joe Biden u betua si President i Shteteve të Bashkuara më 20 Janar.
Ai është zotuar të ndërmarrë hapa për të parandaluar përhapjen e pandemisë, si dhe të ndryshojë disa nga politikat kryesore të brendshme dhe të jashtme të ish-presidentit Trump.