Si kundërpërgjigje ndaj akuzave të Partisë Demokratike për prokurime klienteliste, OSHEE ka bërë dje një deklaratë publike.
Mbasi jep sqarime të përcipta, të cilat nuk i përgjigjen thelbit të akuzave, OSHEE ka deklaruar:
“Partia Demokratike s’ka asnjë mundësi ta kuptojë këtë, përderisa e vetmja fushë ku kjo parti është e trajnuar është fusha e shpifjes.”
Në një deklaratë të muajit shtator, përsëri si kundërpërgjigje të akuzave të PD-së, OSHEE pati përdorur gjuhë të ngjashme.
“Me keqardhje deklarojmë se Partia Demokratike përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste.”
“PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e ‘zarfit’.”
“Por mbase PD-së nuk i intereson përmirësimi i shërbimit ndaj klientit, ndërtimi i zyrave për kujdesin ndaj abonentit, që sot janë në kushte mizerabël.”
Deklarata të tilla banale dhe arrogante nga një kompani publike, përveçse shkelje e çdo norme etike dhe profesionale, janë shprehje të militantizmit partiak.
Deklaratat e OSHEE ngjajnë si dy pika uji në stil, fjalor e qasje me deklaratat që dalin zakonisht nga zyra e PS-së.
Ky stil partiak dëshmon paaftësi arsyetimi të drejtuesve të kompanisë apo kujtdo që qëndron prapa deklaratave, pasi në vend që ato të sqarojnë publikun e mbrojnë imazhin e kompanisë, ato e kompromentojnë OSHEE-në duke i dhënë besueshmëri pretendimeve për përdorimin e saj për partiake dhe klienteliste.