Taksat nuk janë as një pilulë magjike e as të shkëputura nga problemet e tjera të shoqërisë shqiptare, madje janë një nga problemet më periferike në ndikimin që kanë në zhvillimin ekonomik.
Kështu u shpreh ekonomisti Endrit Yzeiraj në emisionin “Me Pak Fjalë” në Euronews, ku u fol mbi taksat dhe nëse munden ato të ndryshojnë ekonominë.
Ndërsa partitë politike kanë hyrë në fushatën zgjedhore, taksat janë bërë një nga çështjet kryesore ku secila palë premton uljen e tyre.
Megjithatë Yzeiraj argumentoi se nuk mjafton vetëm niveli i taksave por duhet që edhe sistemi tatimor dhe administrata e taksave është po aq e rëndësishme për rritjen e të ardhurave të një shteti.
Ai tha se “nëse shoqëria shqiptare nuk adresojnë problemet strukturore atëherë gjasat se ndryshimi i të ardhurave tatimore do rrisi të ardhurat, ose do përmirësojë kapacitetet e shtetit për të ofruar shërbime janë shumë të ulta.”.
Yzeiraj solli në vëmendje edhe rekomandimet e fundit të FMN-së, ku thuhej se “sistemi tatimor duhet të bëhet më i thjeshtë dhe nuk duhet të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme”, për rritjen e të ardhurave.
Megjithatë, ndonëse nuk ka gjasa të rrisë të ardhurat, ulja e taksave që premtojnë PS, PD dhe LSI mund të shërbejë si shtysë për tu regjistruar sa më shumë biznese dhe të ulet evazioni fiskal.