Në Kosovë kanë ardhur rreth 10 përqind më pak fletëvotime se sa numri i zgjedhësve të regjistruar në listën përfundimtare të votuesve.
Lajmin e dha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një deklaratë për median kosovare Koha.net, pa sqaruar arsyen e mungesës.
Ai tha se në Kosovë ka 1 milion 794 mijë e 862 votues, të regjistruar, “ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë, 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak”.
Fletëvotimet për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit , të cilat u shtypën në Slloveni, mbërritën të premten në Kosovë.
KQZ, sipas Elezit do të nisë shpërndarjen e fletëve të votimit të shtunën në 888 qendra votimi.