Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për të zgjedhur parlamentin e ri.
Qendrat e votimit janë hapur prej orës 7 në të gjithë vendin dhe pritet të mbyllen pas 12 orësh.
Në këtë garë zgjedhore janë regjistruar 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare, ndërsa 1052 kandidatë synojnë për 120 vendet e parlamentit të ri.
E para që votoi ishte kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila iu kërkoi qytetarëve të dalin masivisht në zgjedhje.
Rreth 1.7 milionë qytetarë në Kosovë kanë të drejtë vote, përfshi edhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit.
Dje KQZ në Kosovë ka marrë 43 mijë e 477 pako me fletëvotime nga qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
Në garë për kryeministër janë kandidatët e katër prej partive kryesore të vendit.
Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për shkak të një dënimi të gjykatës. Por Kurti mbetet kandidati i LVV-së për kryeministër.
Kandidati për kryeministër i LDK-së është kryeministri në largim, Avdullah Hoti.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar Enver Hoxhajn për kryeministër, pas padisë për krime lufte kundër ish-udhëheqësit të saj Kadri Veseli.
Fatmir Limaj është udhëheqësi i partisë Nisma Social Demokratike (NISMA) dhe kandidati i saj për kryeministër.