Familjarët e Rifat Lalos, i cili humbi jetën nga Covid19, në spitalin Infektiv, ditët e hënë akuzuan stafin e spitalit për moskujdesje ndaj të sëmurit. Ata thanë për Faxweb, se i babai i kishte treguar se kishte ftohtë dhe e kishin lënë afër derës.
Vajzat e tij akuzuan doktoreshën se nuk i ka bërë skaner babait të tyre. Madja, ato i bënë thirrje qytetarëve të mos kurohen në asnjë spital publik, pasi nuk i shërbejnë.
Pas deklaratës së tyre ka reaguar Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, ka hedhur poshtë çdo pretendim për mungesë të shërbimit. QSUT ka deklaruar se të ndjerit:
“I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik”.
QSUT shtoi se “mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente. Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo”.