Për një përtëritje të Çmimit letrar “Kadare”

Nga Dituri Meçi Dizdari
Për një përtëritje të Çmimit letrar “Kadare”

Natyrisht që zhvillimi i një Konkursi Letrar është një Lajm një angazhim total i artistëve të penës dhe një seri librash të bukur që i dhurohen lexuesve dhe jo vetëm.

Këto ditë në Tiranë zhvillohet Konkursi Kadare 2021 një nga aktivitetet letrare më serioze në vend, në të cilin dhe unë mora pjese me 15 tregimet e mia.

Juria e ketij konkursi letrar, gjykoi hapin e pare të afro 30 veprave letrare, për një kohë të caktuar dhe aq për të klasifikuar hap pas hapi, më të mirët. 

Por nuk mjaftuaka!

Sigurisht juria është edhe në anën tjetër të barikadës, në mos se dhe ajo ka provuar situatë të tillë të vështirë plot emocion pas një jete së shkruari.

Është zembrek i çdo konkurrimi apo përballje, selektimi për të dalë në krye dhe të gjithë letrarët e veprave që operojnë konkurseve, sipas etheve krijuese janë gjithsekushi, të parët. 

E kush nuk do të hepohej atij qielli kur çdo kush nga ata, asaj hapësire baret?

Atëhere për të përzgjedhur, vihet përballë jo më veprës letrare, si një copëz letër.

Por në raport delikat me intensin e ndjeshmërisë në këtë rast, dhe interesin për të ditur, kuptuar se çfarë po ndodh me atë, foshnjën e këtij “dërguesi” të shkrimit që i është dashur më shumë se një jetë për të rritur atë vepër letrare”.( Sa e ftohtë!)

Sigurisht ky është një “delir”. 

Se askujt nga juria as që i bie ndërmend kush jeton e merr frymë, pas 17 fletëve të shkruara të kësaj faze, që gjithsesi janë pak për të cilësuar primarin.

Një konkurs letrar shpall “betejën” dhe një krijues letrar që pjesëmer aty mendon përballjen dhe ky është thelbi i gjësë. 

Por nëse juria ka “lluksin” të ketë letrat e hapura, t’i lexojë e të japë verdiktin për gjithsecilin, atëhere çfarë letrash të hapura ka letrari i veprës, të lexojë për shkrimin e tij, që të kuptojë përqasjen me veprat e tjera letrare, të kuptojë vlerën. (Ai nuk do t’a donte këtë përballim se gjithçka shkruan vlerësohet bukuri, e vetme, kritika ka punën e saj).

Juria duhet së paku të qartësojë gjithë këtë “zallahi” të krijuar emocionesh.

Mendoj se krijuesi i veprës së paraqitur në konkurs duhet të dijë të gjithë llogjikën e përdorur për vlerësimin e prozës se tij, që juria përdor. Nuk është e drejtë që njeriun e letrave t’a kaplojë, qorrsokaku.

Sigurisht ashtu sikurse pretendohet të punohet kujdesshëm për të klasifikuar një vepër në raport me të tjerat, ashtu po, duhet përcjellë mesazhi i drejtë pastaj i ndershëm, tek çdo krijues që paraqitet në këtë konkurs.

Unë dua të di, ashtu si juria ka gjykuar, vlerësimin e përdorur për veprën time. 

Është e drejta e konkuruesit të mësojë se ku janë sipas mendimit të jurisë përparësitë, apo anësitë e veprës së tij kur ajo gjykohet.

A nuk është ligjore gjykimi i saj për veprën letrare më të mirë?

Sigurisht doja të dija edhe përse numuri 8, i femrave krijuese

derivoi ne 1!

Atëhere për çfarë të rinjsh gëzohet kjo juri aq sa në Editorialin e Gazetës Liberale shkruan tekstualisht:

__________________________

10 kandidaturat për     

Çmimin letrar “Kadare”,  

mbizotërojnë të rinjtë

———————————-

dhe nga juria e Konkursit Kadare 2021 për Suplementin Leteratura:

…tendencë që sa vjen e konsolidohet, sidomos nga autorët e rinj, për të shkruar letërsi që nuk njeh kufinj gjeografikë apo konvencionalë…

dhe më poshtë:

…vë në pah me kënaqësi përfaqësimin dinjitoz të autorëve femra, duke siguruar se juria do të vlerësojë me përgjegjësi të lartë, deri në shpalljen e veprës më të mirë.

——————

Atehere ku janë të rinjtë, po femrat, kur e vetmi zë letrar femëror nuk është “ të rinjsh”?

Të jetë rastësi kaq rastësore, sa nga 8 letrarë femra (ah këto femrat!) të zgjidhet 1 dhe nga 22 letrarë meshkuj të zgjidhen 9?

Të rinjsh meshkuj? Bukur!

Nuk kam të drejtë të dyshoj për punën e askujt, por të mendoj se femrat “prishin” traditën edhe në artin e letrave? Kjo, nuk është as afër mëndjes!

Atëhere më lind e drejta, të kërkoj të di se çfarë është formuluar për veprën time?

Kaq gjë a kam të drejtë t’a di?

Sigurisht që po të ishte për mua (thjesht kërkoj të di kritikën për prozën time, të kryer faktivisht nga juria) as që do të merrja mundin të shkruaja, ky konkurs duhet të respektojë medoemos çdo vepër letrare, të jetë praktike bërja me dije e krijuesit të veprës, për cilësitë letrare të saj, se kjo “ krijesë” duhet çmuar aq sa vlen, pavarësisht klasifikimit. Çdokush nga pjesëmarrësit nuk di se çfarë të mendojë përpara një klasifikimi kur një juri ka në dorë veprën e tij!

Atëhere kjo lloj” kritike” një punë e bukur që është rjedhojë e klasifikimit të veprave, pse nuk duhet të lexohet nga të interesuarit kur më së shumti juria përbëhet nga shkrimtarë të afirmuar. Mos vallë gjykimi i tyre nuk bëhet për ta?

Mësëmiri do të vlente një qasje publike e jurisë çdo vit për të gjitha veprat e paraqitura, që do të thotë një studim.

Po, një libërth ose broshurë ku të përfshihet vlerësimi i bërë realisht nga anëtarët e jurisë mbi veprat e gjithësecilit. Kjo posaçërisht kërkon bashkëpunimin e Kritikës Letrare.

A bëhet realisht kjo punë e madhe për të selektuar veprat të cilat paraqiten në konkurs? 

Atëhere pse nuk dokumentohet?

Çfarë gjurmësh le ky konkurs, i një prestigji të veçantë, përveçse cilësimit të thatë, kur pjesmarrja është një peshë e denjë letërsie, një mori veprash letrare nga krijues shqiptarë që nuk marrin as minimumin e sadisfaksionit?

Pse për të gjithë pjesëmarrësit në këtë konkurs serioz, të mos ketë një takim konkuruesish një Festë, një Kuvend?

Aq të guximshëm, ata, shkrimtarët, që punojnë heshturazi me veten, një jetë, meritojnë!

Meqenëse është një konkurs nën emrin e një shkrimtari të madh, përse konkurimi është i “vogël”?

Shumë pak ndihet zhvillimi i tij, vetëm letrarët që përzgjidhen kësaj “ beteje” po të tjerët, po lexuesit, po letërsidashësit, apo nuk i shkruajmë letrat tona për ta?

Po takimin final, nuk ka për “detyrë” pastaj të “drejtë” t’a gëzojë edhe Tirana, kryeqyteti i artit dhe kulturës, pjesmarrësve në konkurs t’u dhurohen dhe librat e fituesve?

A mund të vështrojmë dhe përtej botës sonë, si veprohet në vëndet e tjera për konkurset e këtij lloji.

Në rastin më normal ky konkurs zgjat mbi një muaj, a mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme mbi artin e letrave fjala bie “ Ditët letrare Shqiptare”, “Ditët letrare Kosovare”, “ Ditët letrare Franceze” etj. kur dhe ai vend e bën këtë për ne, për Shqipërinë.

Pse nuk mund t’i bëjmë këto ditë orë gëzimi për shkrimtarët e të gjitha gjinive, nga e gjithë diaspora se vetëm ditet e Razmës nuk mjaftojnë. A nuk janë shkrimtarët njerëz të vetmuar?

Bëhet ngandonjëherë aq zhurmë këtij konkursi sa ngjan mëndësish të vjetra, po ato figura, po ata njerëz të shekullit të kaluar, dhe nuk i kushtohet rëndësi përmbajtjes. Çfarë është shkruar!

Çfarë peshe do t’i jepnim Konkursi-t Letrar Kadare në se nuk e shohim atë si të tillë, vlerësues dinjitoz të veprës letrare, si do të vlerësonim të tërën, kur njohim vetëm një cak?

Mos fle gjëkundi hamendësia?

Të gjitha sa shkruajta, për mendimin tim plotësojnë tablonë e pikturuar të vështrimit symprehtë e serioz të letrave shqipe, për të mos patur frikë nga e reja në letersi, nga letërsia ndryshe, nga letërsia e shkruajtur nga gruaja, për të përtërirë këtë konkurs që nuk i ngjan asnjë analogu të tij.

“Le t’a themi hapur se gjenia e prozës shqipe është kaq e larmishme dhe e një dimensioni kaq kompleks, sa mund të habiste edhe një shoqëri me kulturë fuqie.” thotë Mimoza Ahmeti.

Letërsia Shqiptare sot në Shekullin e ri, më shumë se kurrë duhet të përballin kritikën letrare aq të munguar, kur në të vërtetë kritikat nuk mungojnë cilësisht konkurseve letrare, për të selektuar fituesin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>