Koment: Gjendja e grave në Shqipëri, organizimi shpresa e vetme për ndryshim

Nga Arbjona Çibuku
Koment: Gjendja e grave në Shqipëri, organizimi shpresa e vetme për ndryshim

Ky 8 Mars i gjen gratë anë e mbanë botës duke luftuar me pandeminë, të pamundura për të manifestuar si çdo vit për shkak të izolimeve të Covid-19.

Por kreativiteti i tyre e ka tejkaluar pandeminë dhe ato kanë gjetur forma të ndryshme të manifestimit dhe protestës në këtë datë.

Njëra prej tyre ishte manifestimi në ballkonet e shtëpisë, ku ato shpalosën mesazhet e tyre në banderola.

“Refuzoj punët e shtëpisë” , “Gratë peshëngritëset e vërteta të pandemisë”, “Lufta kundër patriarkatit është akt dashurie”, ishin disa prej mesazheve të tyre.

Po ashtu aktivistet feministe në Shqipëri nisën një fushatë online “Më gratë për gratë”.

Ato bën thirrje për rebelim, informim, fuqizim e organizim kolektiv.

o

Më 8 Mars një grup grash e aktivistesh u mblodhën në orën 12:00 në Sheshin “Skëndërbej”, duke kërkuar të mos e lënë në heshtje këtë ditë edhe pse vendi po përballet me pandeminë. Ato bën një aksion simbolik për ditën e 8 Marsit, duke ruajtur distancën fizike.

Në 8 Mars në Kamëz u hap një qendër sociale e cila simbolikisht quajt “8 Marsi”.

Kjo qendër do të shërbejë si “një shtëpi e madhe solidariteti” e hapur nga një grup vajzash dhe grash, studente dhe aktiviste. Ajo do të ofrojë falas: mbështetje për të drejtat në punë për punëtoret dhe punëtorët; këshillim ligjor, psikologjik, informim mbi të drejtat civile dhe orientim në shëndetin publik si dhe kurse të gjuhëve të huaja dhe aktivitete kulturore.

n

Pandemia e përkeqësoi gjendjen e grave

Të dhënat treguan se shkalla e dhunës në familje u rrit ndjeshëm në vendet e Ballkanit që nga vendosja e kufizimeve në lëvizje në luftën kundër COVID-19.

Teksa më herët bashkëshorti e kishte ofenduar dhe dhunuar psikologjikisht, një grua rrëfeu se gjatë karantinës përjetoi dhe dhunë fizike nga bashkëshorti.

Por ndërkohë që shifrat treguan një rritje të dhunës në familje, përfaqësuesit e OJQ thanë se një numër i madh i rasteve të dhunës nuk raportohet nga frika.

Irena Beqja është aktiviste dhe menaxhere pranë Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri. E pyetur në lidhje me gjendjen e grave në Shqipëri, ajo e vendos fokusin tek “barra e rëndë që po mbajnë gratë dhe vajzat për shkak të pandemisë së Covid-19”.

“Gjatë pandemisë gratë e gjetën veten më shumë se kurrë përballë një situate të vështirë që thelloi më tej pabarazitë në role lidhur me ndarjen e punëve shtëpiake, lirinë e lëvizjes, pjesëmarrjen në vendimmarrje, qasje më të ulët në burime, dhunë fizike dhe seksuale të shtuar në mjediset familjare, paaftësinë e qeverisë për të ofruar shëndetësi falas dhe mbështetje ekonomike për gratë, sidomos ato në kushte më vulnerabël”, tha Beqja.

Fiorina Jaso, është aktiviste dhe hulumtuese e politikave zhvillimore, migracionit dhe çështjeve gjinore.

Jaso ndan po ashtu mendimin se pandemia e ka përkeqësuar jetën e grave.

“Pandemia ka nxjerrë në pah dhe ka përkeqësuar shumë nga problematikat me të cilat gratë shqiptare përballen prej kohësh”, thotë ajo.

“Në Shqipëri, barra e të gjitha aktivitetet që prodhojnë dhe mirëmbajnë jetën si përgatitja e ushqimit, pastrimi, kujdesi dhe edukimi i fëmijëve, përkujdesja për të sëmurët/at vazhdon të bjerë në mënyrë joproporcionale mbi gratë’, u shpreh Jaso.

Ajo argumenton se situata përkeqësohet edhe më tej përballë tkurrjes së shtetit social dhe politikave agresive neoliberale “të ndërmarra nga një qeveri e ashtquajtur ‘socialiste’”.

o
o

Gjendja e grave punëtore në Shqipëri

Por dhuna nuk ishte problemi i vetëm që hasën gratë gjatë pandemisë, shumë prej tyre u pushuan nga puna si pasojë e shkurtimeve në staf gjatë pandemisë.

Disa të tjera rrezikuan të infektohen me Covid-19 duke shkuar në punë me rrezik infektueshmërie, sikurse është fasoneria.

Shumë gra në Shqipëri punojnë në këtë sektor, sidomos në qytete të vogla ku ndonjëherë mbetet e vetmja forma punësimi për to.

Gjatë pandemisë fasoneritë nuk u mbyllën, e përveç kushteve të vështira në të cilat punojnë ato u përballën e me rrezikun për t’u infektuar.

Qeveria i la në udhëkryq duke i thënë: Nëse doni mund të shkoni në shtëpi, nëse jo mund të punoni.

Pa përkrahje financiare nga qeveria e nga pronari, këto gra në mesin e pandemisë, kur të tjerët qëndronin të mbyllur nga frika e virusit, shkonin çdo ditë drejt frikës se një ditë mund të infektoheshin.

Nuk vonoi shumë kur në qytete të ndryshme, si Gjirokastra, Vlora,Krujë,Kurbin, Shkodër e Durrës, fasoneritë u kthyen në vatra të nxehta ku u infektuan me dhjetra gra.

Kjo gjendje u ndoq më pas nga protestadisa prej qyteteve të vendit, ku të tjera gra punëtore fasonerie mbetën pa marrë pagën e luftës.

Mirela Ruko aktiviste e Organizatës Politike dhe kryesisht e çështjes punëtore, kur flet për gratë e fasonerisë shprehet se “situata nuk është në favor të tyre, pasi ato janë duke punuar në kushte të këqija që i shkaktojnë dëmtime të shëndetit”.

Gjithashtu punëtoret e fasonerisë keqpaguhen, shprehet Ruko teksa shton se “jetesa e tyre gjatë pandemisë u përkeqësua”.

“Ato duhet të punojnë 8 orë në ditë e ti përgjigjen kërkesave të familjes, të cilat me pandeminë u shtuan edhe më shumë”, tha Ruko.

Ajo tregoi se  gjatë pandemisë ka pasur gra shtatzënë të cilat janë infektuar në punë, në sektorin fason.

Po ashtu Ruko sjell në vëmendje rastet ku pronarët e fasonerive i kanë pushuar nga puna punëtoret, pa iu dhënë asnjë ndihmë.

“Dua të përmend këtu gratë e Korçës të cilat u lanë në mes të katër rrugëve, gratë e fasonerive në Fier të cilat protestuan po ashtu për pagën e luftës”.

Ferdez Onuzi po ashtu aktiviste e Organizatës Politike kur flet për gjendjen e grave gjatë pandemisë shprehet se  “sikur mos të mjaftonte shkalla më e lartë e papunësisë krahasuar me burrat , pagat më të ulëta për të punësuarat i shtohet edhe pasiguria për vendin e punës”.

“Ky 8 Mars i gjenë gratë të shantazhuara përballë pushimeve nga puna , pagave të ulëta , orëve të zgjatura të papaguara dhe kërcënimit shëndetësor që vjen nga pandemia. Gjatë muajve të karantinës frikës që  kaploi i dolën në ballë punëtoret e fasonerisë duke refuzuar të rrezikojnë jetën e tyre”, thotë Onuzi.

n

Organizimi, zgjidhja për problemet e grave punëtore

E teksa flet për situatën e vështirë me të cilën po përballen këto gra, Ruko thotë se ka shpresë për ndryshim për gratë punëtore. Ajo tha se situata po vjen duke u përmirësuar sa i takon organizimit.

“Kjo sepse i shohim gratë të organizohem më shumë në vendin e punës, sikurse është bashkimi në sindikatë”, shtoi ajo.

Ruko është optimiste kur flet për fitimin e të drejtave të grave punëtore, ajo thotë se ato kanë fituar ndërgjegjësimin.

“Ato e kanë kuptuar se duhet të luftojnë së bashku për të fituar të drejtat e tyre, edhe pse ato u përkasin me ligj”.

“Ne e shohim shumë të rëndësishme që shteti duhet të jetë garant i së drejtës për t’u organizuar në vendin e punës, kjo pasi ka pasur gra që kanë humbur vendin e punës për shkak të organizimit sindikal”, shtoi Ruko.

E teksa flet për organizimin dhe sfidat e tij Ruko sjell në vëmendje si një shembull frymëzimi për gratë dhe jo vetëm, grevën e grave naftëtarë të Ballshit.

Po ashtu edhe Onuzi e sheh zgjidhjen tek organizimi.

“Përgjigja ndaj kësaj do të ishte organizimi në vendet e punës , siç po ndodhë me call -center-in , naftëtarët e Ballshit apo masonerinë”, tha ajo.

Onuzi tregon se organizime të tilla kanë nisur, e falë tyre janë fituar disa beteja “por mbetet shumë për t’u bërë” shprehet ajo.

“Në solidaritet dhe me njëri -tjetrin në krahë drejt një shoqërie të barabartë pa dallime gjinore  ekonomike a çfarëdo qofshin ato”, tha Onuzi.

o

A ka shpresë për ndryshim?

Shpresën të gjitha këto gra dhe vajza aktiviste e shohin tek organizimi, si e vetmja formë drejt çlirimit dhe barazisë gjinore.

“Çlirimin e grave shqiptare dhe barazinë e vërtetë gjinore mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet transformimit të këtij sistemit shoqëror dhe ekonomik që përbën burimin e dhunës gjinore”, shprehet Fiorina Jaso.

Irena Beqja kur flet për të ardhmen e lëvizjes feministe në Shqipëri  është optimiste dhe shprehet se:

“Lëvizja feministe në Shqipëri ka disa vite që po merr një hov të ri, me një energji të re, me ritëm dhe guxim të pashoq! Gjithë kjo, edhe falë përfshirjes së një brezi të ri feministesh që sfidojnë pa frikë patriarkatin, që lexojnë shumë dhe e studiojnë feminizmin, duke e brendësuar dhe vepruar”.

Për 8 Mars ajo ka një mesazh për gratë:

“Kjo ditë ngjall shumë ndjesi tek të gjitha gratë luftarake që duan që gjërat të ndryshojnë. Ajo që më vjen të them, sidomos si nënë e një vajze dhe një djali, është që secila prej nesh, të gjejë zërin brenda vetes dhe të jetojë jetën që dëshiron për veten e saj, pa u kushtëzuar nga normat shtypëse të shoqërisë ku jetojmë”.

Një hap drejt fuqizimit të lëvizjes feministe në Shqipëri është dhe hapësira më e re feministe online “SHOTA”.

Gresa Hasa dhe Liri Kuçi janë themelueset e saj.

“Shota” lindi rrugëve të qytetit si përgjigje ndaj dhunës sistemore dhe patriarkale, për t’u kontekstualizuar më pas në një platformë përbashkuese, me qëllim shtrimin e diskursit dhe praktikës feministe në Shqipëri.

Hasa tregon se “SHOTA është ftesa për një diskutim dhe manifestim të munguar të një historie që tashmë është duke u shkruar”.

“Në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë një revistë mirëfilli feministe, që të artikulojë nga një perspektivë e majtë progresiste realitetin tonë. Mungesën e një hapësire të tillë e kemi ndjerë sa herë që kishim nevojë të shpreheshim dhe artikuloheshim në lidhje me çështje të ndryshme. Andaj zgjodhëm që t’i jepnim vetë jetë kësaj hapësire dhe jemi rrekur që kjo të jetë sa më gjithpërfshirëse, duke i dhënë mundësinë çdo vajzë e gruaje për t’u shprehur, në një mjedis ku dhuna sistemore dhe patriarkale na e pamundësojnë jo vetëm fjalën e lirë por edhe vetë ekzistencën”, shpjegon Hasa.

Ajo shprehet se  “Në këtë çast në kohë, në Shqipëri po mbillen (më në fund) filizat e para të një lëvizjeje feministe gjithpërfshirëse, që deri dje mungonte, për arsye historike, politike e shoqërore. Ka ende shumë punë për t’u kryer, por besoj se jemi në rrugën e drejtë.

Fundja, lëvizja është të gjitha gratë që vijnë  nga margjinat e vendit drejt qëndrës, të cilat me guximin dhe revoltën e akumuluar historike, njëzëri, po e kundërshtojnë fuqishëm këtë sistem dhune e shtypeje”.

n
n

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>