Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është shprehur se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi evropian. Ai e ka konsideruar bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë një ide jo të mirë.
“Një Evropë pa kufij në të cilën njerëzit bashkëpunojnë dhe komunikojnë dhe jam i bindur se këto ide janë nga individët që janë pakicë dhe s’kanë të ardhme”, tha Zaev.
Deklaratat duken se e kanë shtysën nga komentet e kryeministrit në pritje të Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit javën e shkuar deklaroi se pavarësisht dëshirës së shumë shqiptarëve, kushtetuta e Kosovës e pengon shprehimisht bashkimin me Shqipërinë.
Zaev theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe besimin se problemet që mundojnë rajonin do të kapërcehen përmes dialogut.
“Nuk është e lehtë të gjesh një zgjidhje, unë kalova në disa procese të vështira – ligjin për përdorimin e gjuhës në Maqedoninë e Veriut, kalova një marrëveshje me Bullgarinë, Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, emri kushtetues i vendit ndryshoi dhe nuk është e lehtë, kjo është me të vërtetë e vështirë. Në mënyrë që Serbia, Kosova dhe vendet e tjera të mposhtin të gjitha sfidat e tyre duhet ta bëjnë atë përmes dialogut, diplomacisë, miqësisë,” deklaroi Zaev.