Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve raportoi se 65 gazetarë dhe punonjës të mediave në botë janë vrarë në krye të detyrës një vit më parë.
Raporti përmend midis arsyeve kryesore të krizës së sigurisë në gazetari, grupet e krimit të organizuar, ekstremistët dhe dhunën sektare.
“Regjimi i pamëshirshëm i baronëve të krimit në Meksikë, dhuna e ekstremistëve në Pakistan, Afganistan dhe Somali, si dhe linja e ashpër jotolerante në Indi dhe Filipine, kanë kontribuuar në gjakderdhje të vazhdueshme në media”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Anthony Bellanger.
Meksika është renditur e para në listë për numrin e gazetarëve të vrarë më 2020, 14 në total.
Dhjetë gazetarë apo punëtorë mediash janë vrarë në Afganistan, nëntë në Pakistan, tetë në Indi, nga katër në Filipine dhe Siri dhe nga tre në Nigeri dhe Jemen.
Të vrarë janë regjistruar edhe në Irak, Somali, Bangladesh, Kamerun, Honduras, Paraguaj, Rusia dhe Suedi.
Prej kur kjo federatë ka nisur të raportojë më 1990, ka regjistruar 2680 gazetarë apo punonjës mediash të vrarë.
Organizata tha se të paktën 229 gazetarë janë nëpër burgje në gjithë botën, për shkak të punës së tyre.
Turqia është lidere në këtë aspekt, me të paktën 67 punëtorë mediash mbrapa hekurave.
Raporti do të dalë zyrtarisht në një konferencë shtypi në internet, që do të mbahet në 15 Mars nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Lufta e Mosndëshkimit, një organizatë me bazë në Bruksel që advokon për fundin e mosndëshkimit në botë.