Partia Demokratike dënoi veprimin e Kryeministrit Rama gjatë komunikimit me median sot, 13 mars, ndaj një gazetareje. PD, përmes Albana Vokshit u shpreh se “të prekësh me dorë një gazetar është fundi për një politikan”.
Vokshi e krahasoi sjelljen e Ramës ndaj gazetares Edona Haklaj më atë të “një të forti rruge” .
“Prej 23 vitesh në politikë, Edi Rama ka dhënë prova të shpeshta se ai nxit dhunën verbale dhe fizike ndaj grave dhe kundërshtarëve politikë’, shtoi Vokshi.
Ajo e akuzoi kryeministrin se “si në jetën personale, edhe atë politike i ka përdorur gratë vetëm për fasadë”.
Por, shtoi Vokshi “pas fasadës, është një politikan i rrezikshëm për gazetarët, për median, për gratë dhe për shoqërinë”. Ky model tha ajo do të përfundojë me ardhjen e Lulzim Bashës kryeministër.
Kryeministri Edi Rama largoi me dorë gazetaren Edona Haklaj pasi ajo nuk kishte maskë. Rama e pyeti gazetaren: “Ku e ke maskën”, dhe më pas e largoi fizikisht duke e shtyrë me dorë. Ngjarja ndodhi para shkollës ‘4 Dëshmorët’, me rastin e nisjes së vaksinimit të mësuesve.