Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku deklaroi sot se kryetari i Bashkisë së Tiranës është shembulli më i keq i politikës dhe e akuzoi atë për betonizimin e kryeqytetit.
Gjatë një takimi me studentët e arkitekturës në Tiranë, Tabaku u fokusua tek ndërtimet që janë bërë gjatë viteve të fundit në kryeqytet.
Ajo tha se rrethimi i Sheshit Skënderbej me kulla nuk i shërben Tiranës dhe kujtoi se plani i mëparshëm ishte që të zhvilloheshin disa qendra të qytetit.
“Mendimi që kemi pasur për Tiranën që ne e nisëm me planin urban të Tiranës, me zotin Basha dhe që shpresonim te realizohej ishte Tirana policentrike. Që ti që jeton në Kombinat, në Vorë ose diku tjetër ti të kesh mundësi ta zhvillojmë pronën edhe atje.”, tha Tabaku.
Sipas saj, shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhënia e lejeve të ndërtimit në Tiranë po dëmtojnë historinë dhe identitetin e kryeqytetit.
“Nuk duan domethënë që Shqipëria të ketë një histori, të ketë një identitet, të përfaqësojë atë nga ne vijmë. Këta thjesht duan, të fillojë Shqipëria kur kanë ardhur këta në pushtet. Shqipëria për këta fillon në 2013”, tha Tabaku.