Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha premtoi ndërtimin e rrugës nga Hani i Hotit në Permet dhe pērfundimin e ndërtimit të “Urës së Velabishtit”, e cila u projektua nga PD, por u la pezull nga qeverisja Rama.
“E padiskutueshme që boshti që fillon nga Hani i Hotit e deri në Përmet dhe kjo urë me përmasat siç është projektuar nga ne do të jenë prioritet i investimeve të infrastrukturës nga qeverisja e ardhshme”, u shpreh Basha gjatë takimit me qytetarët e beratit, të shtunën.
Basha e akuzoi qeverinë Rama se nuk ka ndërtuar rrugë, por i ka lënë në harresë:
“Se çfarë kanë bërë s’ka nevojë të ma thuash, mjafton të shikosh Unazën e Tiranës që 8 vite e lanë në vendnumëro dhe kosto ekonomike, shkatërrimi i ambientit, i mjedisit, i cilësisë së ajrit i kushton qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ditë për ditë vetëm e vetëm sepse për 8 vite me radhë lekët e shqiptarëve i morën dhe i degdisën në xhepat e një grushti njerëzish”.
Ai gjithashtu premtoi se qeveria e tij do t’i japë fund “shpërdorimit të parave me tendera korruptive dhe me fasada që i prish shiu i parë”.
Kryetari i PD-së falenderoi qytetarët e Beratit për pritjen entuziaste. Në shenjë mirënjohjeje për këtë pritje, Basha u shpreh se ndryshimin e kërkojnë nga jugu deri në veri dhe ndryshimi do të vijë nga të gjithë shqiptarët.