Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave nga Partia Socialiste për kandidatë të inkriminuar në lista duke thënë se ka përjashtuar personalisht persona për shkak të indicieve në të kaluarën.
Gjatë një interviste për News 24, Basha tha se nuk pranon moral nga kryeministri Rama i cili sipas tij kriminalizoi PS-në.
“Partia Demokratike është hartuesja e ligjit për dekriminalizimin.”, deklaroi Basha duke thënë se “sot, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike.”
Kreu i demokratëve shprehet se në listat e PS-së ka ende persona me probleme me ligjin dhe thekson se qeveria e tij do të jetë “një qeveri e njerëzve me integritet”.
Basha tha më tej se ligji i dekriminalizimit nuk po funksionon “për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin”.
Ai premtoi se në qeveri do të bëjë “vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin.”