200 pedagogë dhe 12 mijë mësues janë vaksinuar deri më tani, raportoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Gjatë vizitës në stadiumin Air Albania, Manastirliu deklaroi se Shqipëria ka aktualisht në total 90 mijë doza vaksinash.
“Vijon vaksinimi i pedagogëve, në UT janë vaksinuar 200 pedagogë, në tërësi mbi 12 mijë arsimtarët ose 30% e mësuesve kanë marrë dozën e parë të AstraZenecës. Kemi 90 mijë doza vaksinash në totale, ndërkohë që presim doza të tjera Pfizer në ditët e para të prillit, për të vijuar më pas vaksinimin masiv.”
Manastirliu njoftoi se në prill pritet që të vijë nga Covax një tjetër dozë vaksinash, numri i të cilës ende nuk është i saktë.
10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V mbërritën në vend, të hënën, 22 mars. Vaksinat u dhuruan nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.
Qeveria miratoi para pak javësh vendimin për marrjen e vaksinave nga të gjtiha vendet prodhuese dhe shpërndarëse.
Deri më tani, në vend adminnistroheshin vaksinat e prodhuara nga kompania Pfizer dhe AstraZeneca.
Qeveria ka vendosur vaksinimin e personelit shëndetësor dhe të të moshuarve mbi moshën 80 vjeç. Kryeministri ka premtuar ardhjen e 360 mijë doza vaksinash në vend në javët në vijim.