Ambasadorja e amerikane në Tiranë Yuri Kim kërkoi të martën hetimin e Tom Doshit në një intervistë për ABC.
Reagimi i saj erdhi pas vendimit të KQZ për të mos përjashtuar Doshin nga gara. Tom Doshi po kandidon si deputet në Partinë Social Demokrate në zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo tha se Doshi nuk është i pafajshëm dhe prokurorët duhet të bëjnë punët e tyre.
“Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është s’kualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm”, tha Kim.
Ambasadorja Kim vlerësoi denoncimin që i ka bërë PD kandidimit të Tom Doshit dhe tha se PS duhet të bëjë të njëjtën gjë.
“Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë”, tha ajo.
Për PS ajo tha se “kam krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar çdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi të hënën 12 kandidatë për deputet për një verifikim më të thelluar.