Kryeministri Rama ka qenë sot në Krujë ku ka vizituar ndër të tjera edhe ujësjellësin e ri të qytetit që do të furnizojë zonën me 24 orë ujë të pijshëm.
Rama ka ndarë në Facebook, pamje të vizitës së tij i shoqëruar edhe me kandidaten për deputete Milva Ekonomi dhe kryetarin e Bashkisë, Artur Bushi.
Gjatë takimit, Bushi thotë se para dy ditësh është marrë certifikimi i analizave të ujit nga laboratori dhe ka rezultuar se ai është i pastër për t’u pirë.
Rama e ka provuar vetë ujin dhe ja ka kaluar gjithashtu shishen Ekonomit dhe Bushit.
Kjo nuk është hera e parë që Rama njofton ndërtimin e ujësjellësit të Krujës.
Më 23 dhjetor, kryeministri ka ndarë një video në Facebook që tregon ujësjellësin e ndërtuar dhe ku ndër të tjera shkruan se “brenda pak ditësh do të furnizojë 24 orë pa ndërprerje me ujë të pijshëm” banorët e Krujës.
Nisur nga deklarata e kryebashkiakut të Krujës, rezulton se uji është certifikuar si i pijshëm vetëm dy ditë më parë, më 25 mars.