Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev tha se kanë rënë dakord që procesi i regjistrimit të anulohet për në shtator, sipas raportimit të Alsat.
Sipas marrëveshjes regjistrimi në terren pritet të realizohet nga data 5 deri në 30 shtator.
Ndërkohë, aplikacioni për regjistrimin e diasporës do të mbetet aktiv deri atëherë.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, planifikohet që të njëjtat të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit.
Në takimin e së hënës, palët kanë biseduar edhe për ndryshime në Kodit Zgjedhor.
“Takimi i sotëm është pozitiv dhe i suksesshëm. Kemi lënë hapësirë edhe për takime tjera”, tha mes tjerash Hristijan Mickoski.
Ai shtoi se do të inkurajohen grupet parlamentare që diskutojnë ndryshimet në modelin e zgjedhor, listat e hapura, zgjedhjen e kryetarëve të komunave në raundin e parë, si dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE /ODIHR.
Liderët kanë rënë dakord edhe për punën në Kuvend.
VMRO-ja ka rënë dakord të bashkëpunojë me shumicën për ligjet që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe ligjet për menaxhimin e krizës pandemike.
“Ligjet për Qendrën Klinike, për ndërtimet pa leje, për ASHAAV-MRTV, Ligji për Shtetësinë, gjashtë ligjet për pensionin, mbështetje për të gjitha ligjet që janë në agjendën evropiane, që nënkuptojnë ndihmën e popullatës. Besoj se në periudhën e ardhshme do të jemi në gjendje t’i sjellim këto ligje dhe se nuk do të kemi më bllokada të tilla”, tha Zaev.
Para pak ditësh, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të regjistrohen në census.
Më herët, edhe lideri i opozitës kishte bërë një thirrje të tillë.