Politikanët në qeverinë qendrore dhe lokale, si dhe sektori privat vazhdojnë të shfrytëzojnë burimet e vendit dhe një “gjyqësor i korruptuar siguron pandëshkueshmëri për këto aktivitete dhe inkurajon skemat e përfitimit“.
Kjo është në bazë të raportit Zbërthimi i Kapjes së Shtetit në Shqipëri, botuar nga Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Media.
Rastet e shqyrtuara në raport tregojnë “një lidhje të fortë midis zyrtarëve publikë, sektorit privat dhe gjyqësorit“. Kjo, thuhet në raport, është rritur në mënyrë progresive përmes shfrytëzimit të pasurive publike dhe sigurimit të të mirave publike.
Ai sugjeron që gjithçka në vend mund të blihet, madje edhe ligjet parlamentare, në kundërshtim me interesin publik.
Për sa i përket reformës në drejtësi, e cila filloi në vitin 2016, zbatimi i saj ka krijuar pasiguri të mëtejshme ligjore për shkak të procesit të ngadaltë dhe zëvendësimit të gjyqtarëve. Kjo ka ngadalësuar progresin për hetimin e një sërë rastesh të profilit të lartë.
Raporti gjithashtu thekson se qeveria ka ndikim mbi gjyqësorin dhe “profesionalizmi dhe integriteti i gjyqtarëve mbetet i paprovuar“. Numri i madh i çështjeve që presin të dëgjohen në sistemin gjyqësor është tjetër problem i madh.
Raporti përmend rastin e fabrikës së demontimti të armëve në Gerdec, skandalin e incineratorëve me vlerë 179 milion €.
Kompanitë që fituan kontratat e inceneratorëve ishin ofertues të vetëm dhe tenderimi filloi pas ofertave të pakërkuara prej tyre. Për më tepër, pronarët e kompanive rezultojnë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Keto raste, sipas raportit tregojnë një skemë të madhe korrupsioni, përmes së cilës të njëjtët individë përfitojnë nga kontratat shtetërore.
Ata vunë në dukje se “Mirel Mertiri dhe Klodian Zoto, dy biznesmenë të afërt me ish-ministrin e financave dhe ekonomisë, Arben Ahmetaj të Partisë Socialiste – dhe me lidhje me Partinë Demokratike – kanë komplotuar me zyrtarë të qeverisë shqiptare për të dhënë kontrata për inceneratorin e mbetjeve, kompanive që drejtohen nga bashkëpunëtorë të tyre. ”
Raporti shpjegon më tej sesi ligjet e bëra me porosi lehtësojnë skemat e mëdha të korrupsionit duke “ligjëruar në thelb për vjedhjen e burimeve natyrore” dhe nuk i përmbahen parimeve të transparencës, integritetit, sundimit të ligjit dhe mbikëqyrjes parlamentare. Shumica e këtyre ligjeve vijnë nga vetë qeveria dhe nuk arrijnë të shpjegojnë ekzistencën e tyre.
Ata analizuan gjithsej nëntë ligje për të treguar sesi qeveria propozon dhe parlamenti i pranon ligjet e bëra me porosi.
Këto ligje përfshinin atë mbi Teatrin Kombëtar, Ligjin mbi Mediat Audiovizive, Ligjin për Lojërat e Fatit, Lotarinë Kombëtare, koncesionin e rrugës Milot-Balldre, Ligjin për Pragun e TVSH-së, Ligjin për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës dhe Ligjin për Themelimin e Kompanisë Air Albania.
“Një numër propozimesh legjislative të qeverisë shumë të dyshimta janë shfaqur në befasi e plotë dhe janë prezantuar vetëm në një fazë shumë të vonë të procesit, veçanërisht gjatë miratimit të projektligjit nga qeveria ose gjatë paraqitjes së tij në Kuvend”, shkruhet në raport.
Në rastin e ligjit për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, raporti zbuloi se ai ishte hartuar dhe miratuar në 14 ditë pune. Brenda së cilës:
“Qeveria (1) krijoi një grup pune për të hartuar ligjin; (2) projektligji u është dërguar ministrive dhe institucioneve të tjera të interesuara për publikun; (3) ministritë propozuese kanë marrë dhe reflektuar mbi këtë reagim; (4) qeveria miratoi projektligjin në mbledhje dhe e paraqiti atë për shqyrtim në Kuvend; (5) Kuvendi ua dërgoi komiteteve përkatëse të përhershme; (6) komitetet e përhershme mbajtën mbledhje dhe miratuan projektligjin; dhe në fund (7) Kuvendi miratoi ligjin në seancën plenare”.