Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujtoi sot 30 vjetorin e vrasjes së 4 të rinjve në protestat antikomuniste te 2 prillit 1991, në Shkodër.
“Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t’ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën”, shkroi Basha në një postim në Facebook.
Ai u shpreh se kjo ditë “i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot”. Si dhe “na japin sigurinë se jemi në rrugën e drejtë dhe në rrugën e fitores mbi të keqen, të ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar, në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit”, shtoi Basha.
“Heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. Dëshira, guximi dhe përpjekja për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, ngritën themelet e ndërtimit të një shteti demokratik. Përpjekje nga e cila ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe për të cilën punojmë çdo ditë”, përfundoi ai.