Gjykata e Tiranës dënoi të mërkurën me 5 vite burg Vladimir Gjutën, i cili u gjet i armatosur, pranë selisë së Partisë Socialiste.
Gjuta u shpall fajtor për “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe për “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Ai u arrestua në 10 shkurt pasi u pikas nga punonjësit e Gardës së Republikës që ndodheshin pranë selisë së PS-së. Gjatë ndjekjes nga Garda, Gjutës i ka rënë nga brezi një pistoletë e mbushur me fishekë.
Sipas policisë, Gjutës i është gjetur një shumë prej 120 mijë eurosh me vete.
Vladimir Gjuta është figurë e njohur për policinë. Ai u lirua nga paraburgimi 5 ditë më parë, më 5 shkurt.
Ai ishte arrestuar sepse kishte plagosur kushëririn e tij. Në vendimet e mëparshme për Gjutën, gjykata e Tiranës ka rekomanduar mjekim të detyruar në psikiatri.
Në vitin 2015, Gjuta ishte një prej të dyshuarve kryesorë të për vendosjen e një sasie të madhe tritoli në farmacinë e babait të ministrit Tahiri dhe në një stacion autobuzi afër shkollës “Vasil Shanto”.