Partia Demokratike ka paditur në SPAK të mërkurën kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale në lidhje me zgjedhjet.
PD akuzon Ramën se ka kërcënuar të punësuarit në arsim e shëndetësi përmes dy nismave të qeverisë ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe ‘Infermierë për Shqipërinë’”.
PD shprehet se Rama gjatë një bisede me Milva Ikonomin ditën e djeshme tha se e mbrojnë vendin e punës vetëm duke votuar PS .
“Duhet ta mbrojnë pozicionin e tyre me votë. Në drejtim të paditur përfundon çdo gjë, edhe puna e tyre. Se e fillojnë prapë ata, se nuk dinë gjë tjetër”, citohet Rama në padinë e PD.
PD akuzon Ramën për këto katër vepra penale:
Shpërdorimi i detyrës
Korrupsion aktiv në zgjedhje
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
“Intimidimi i administratës publike për tu përfshirë në fushatë, presioni për të sjellë deri në 20 vota të sigurta për Partinë Socialiste dhe kërcënimi për largim nga puna janë fenomene që hasen në çdo institucion”, tha PD.
Por sipas saj, një deklaratë me përmbajtje kërcënuese nga vetë kryeministri “është shumë e rrezikshme, aq më tepër kur për 17 ditë do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”.
PD tha se në administratën publike punojnë 185 mijë persona, nga 85 mijë që ishin të punësuar në vitin 2013. “Nga këta 10 mijë persona janë punësuar vetëm gjatë muajve të fundit për qëllime elektorale, pa përfshirë 2.500 punonjës me kontrata të përkohshme në pushtetin lokal”- thuhet në padinë e PD.
“Me këtë veprim, vetë Kryeministri jo vetëm që ka cënuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha ka konsumuar një sërë veprash të rënda penale, pasojat e së cilave ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultatin e zgjedhjeve”, thotë PD në padinë e dërguar në SPAK.