Kandidati i pavarur në qarkun e Dibrës Elton Debreshi prezantoi të enjten spotin e fushatës së tij elektorale.
“Le të flasë Dibra që të dëgjojë Tirana: kjo është përpjekja jonë e përbashkët”, është mesazhi i spotit të tij.
Në fokus të tij janë minatorët dhe qytetarët e Dibrës.
Debreshi përmes spotit të tij vë në dukje problemet me të cilat hasen bashkëqytetarët e tij, që nisin nga puna në minierë e vijojnë me mungesën e infrastrukturës, me mungesën e shkollave e spitaleve.
“Bulqiza më e pasura nën tokë dhe më e varfra nën diell. Ku jeta e njeriut vlen më pak se kromi”, nis spoti i tij.
Debreshi tregon se është ndër shumë minatorët që futet çdo ditë në galeritë e zeza të kromit, sikurse i quan ai.
“Jam njëri prej atyre që nuk e di në fund të ditës, nëse do të kthehem gjallë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe bashkëshortes”, thotë Debreshi.
Ai tregon se para tij në këtë minierë kanë punuar babai i tij dhe gjyshi i tij. “Bulqizakët i ka lidhur fati me minierën”, shprehet Debreshi.
Prandaj kur shokët më zgjidhën kryetar të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, luftova krah tyre për të drejtat e munguara dhe për Statusin e Minatorit, thotë ai.
Për zgjedhjet ai thotë se janë një mundësi për të çuar zërin e njerëzve të thjeshtë në Tiranë.
“Dibra është ndër qarqet më të varfra të Shqipërisë, edhe pse natyra na ka falur kaq shume pasuri”, shprehet Debreshi.
“Dibra ka krom, por nuk ka shkolla, nuk ka rrugë, nuk ka spitale”, thotë ai.
Ai tregon se si Dibra ka lindshmëri të madhe por një emigrim të lart. Për këtë sjell dhe shembullin e tij. Debreshi tregon se ishte vetëm 14 vjeç kur e la shkollën dhe mblidhte krom.
“Sot është qëllimi dhe detyra jonë që asnjë fëmijë i Dibrës të mos detyrohet të sakrifikojë të ardhmen”, thotë Debreshi.
“Mbi punën tonë janë pasuruar ata që në cdo zgjedhje na kërkojnë votën”, shton ai.
Por ata nuk ecin në të njëjtat rrugë si ne, thotë ai.
Ai vë në pah kontrastin mes premtimeve të politikanëve të vjetër dhe asaj që është Bulqiza.
Debreshi thotë se “po nuk u shkundëm, nuk do i ndiejmë zinxhirët me të cilët na mbajnë lidhur prej 30 vjetësh”.
Kandidimin e tij ai e quan “Përpjekje të përbashkët” për të gjithë bulqizakët.