Turqia i dënoi komentet e bëra nga kryeministri i Italisë, Mario Draghi i cili e krahasoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan me një diktator dhe e kritikoi trajtimin ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Turqi, këtë javë.
Presidentja e KE, Von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me Erdoganin më 6 prill.
Ata u çuan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit.
Në karrige u ulën Erdogan dhe Michael, ndërsa von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj.
Kryeministri italian, Draghi tha se është “shumë i pakënaqur me poshtërimin që presidentja von der Leyen ka pësuar”.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia “dënon me forcë vërejtjet populiste dhe komentet e shëmtuara dhe të paarsyeshme të bëra nga Draghi.”
Ai i hodhi poshtë akuzat për shpërfilljen e von der Leyenit, për shkak të gjinisë së saj.