Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi votën e grave në Burrel gjatë një takimi elektoral ku premtoi se ato nuk do të keqpërdoren por do të ndihmohen përmes garantimit të kushteve më të mira në punë dhe trajtimeve financiare për familjen.
Basha tha se plani i PD-së parashikon përmirësimin e kushteve për gratë.
Ai premtoi trajnime profesionale të paguara nga shteti për gratë dhe paga të barabarta me burrat për kushte të barabarta pune.
““Grua e fortë, Shqipëri e fortë” nuk është slogan, por një parim i vështirë që duhet jetësuar”, tha Basha.
Ai akuzoi kryeministrin se i ka keqpërdorur gratë.
“I pari i qeverisë, përdor gjuhë të papranueshme, fyese, denigruese ndaj bashkëpunëtoreve gra, ndaj gazetareve gra dhe ndaj grave në tërësi”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai e vlerësoi të rëndë gjendjen e grave në Dibër, ku sipas tij 80% e grave janë të pa punë.
Duke e konsideruar familjen si gurëthemeli i Partisë Demokratike, Basha përsëriti planin e mbështetjes për familjet e reja dhe studentët.
Sipas tij, programi parashikon për 5 mijë çifte të reja çdo vit do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe shteti do të subvencionojë 100% interesat e kredisë.
Bonusin prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët nga momenti i lindjes deri në momentin që arrijnë 5 vjeç, tekste shkollore falas, zgjatja e orarit të mësimit me vakte të paguara nga shteti dhe financimi 100% i bursave për studentët që vijnë nga familje me të ardhura deri 640 mijë lekë të vjetra në muaj.