Kryeministri Rama ka deklaruar të dielën se një nga synimet e qeverisjes së tij është që në fund të kësaj dekade Shqipëria të jetë kampione e Ballkanit në turizëm, agro turizëm, IT, eksporte bujqësore dhe në energji.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj në teknologji, në qendrën “Tumo” në Tiranë theksoi rëndësinë e krijimit të një fashe të ndërmjetme midis arsimit profesionale dhe studimeve të larta.
Rama solli në vëmendje planin e veprimit të Partisë Socialiste ku parashikohet krijimi i një fondi garancie prej 50 milionë euro për lehtësimin e financimit të start-up dhe IT.
Kryeministri nënvizoi se do t’i jepet rëndësi e veçantë programeve të kodimit që sjell edhe pagesa të larta për të rinjtë.
Sipas Ramës, pas Korçës, do të synohet të hapen 6 qendra të tjera për formimin në fushën dixhitale, në qendrat e qarqeve të vendit.
Kreu i qeverisë u ndal më tej tek reforma e arsimit të lartë, që sipas tij do të shtojnë programet e universiteteve të huaja tek universitetet e vendit.
“Ne kemi vendosur një financim 10 milionë euro për ti nxitur universitetet që të krijojnë sinergji reale me universitetet e huaja. Programe të caktuara të jenë programe të një universiteti të huaj. S’ke nevojë të ikësh jashtë, por e merre këtu.”, tha Rama.