Kandidatët e Partisë Socialiste zhvilluan të enjten disa takime në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër dhe kandidati për deputet, Bledi Çuçi zhvilloi takime në fshatrat e Lunxhërisë.
Çuçi solli në vëmendje mbështetjen me subvencione për fermerët përmes një skeme transparente.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me banorët e Zall-Bastarit.
Veliaj tha se kundërshtarët as nuk e kanë idenë se ku bie Zall-Bastari dhe u bëjnë përshtypje ndryshimet.
“Tani që është koha për vota, tani vinë ata, dhe pyesin rrugës: Nga i bie Zall-Bastari? Se ata s’dinë as rrugën, është bërë edhe rruga e re. Vijnë këtu dhe pyesin – Në Zall-Bastar jemi këtu? – se nuk e mbajnë mend sheshin si ka qenë. Vijnë këtu dhe pyesin – Në Zall-Bastar jemi këtu? – se shohin një qendër shëndetësore, që është më e mirë sesa ajo në qendër të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Drejtuesja politike e PS në qarkun e Lezhës Lindita Nikolla deklaroi se në ditën e zgjedhjeve duhet të jenë të vendosur për të votuar PS që të vijojnë punën për rindërtimin.
” Mbi të gjitha na votoni për kryepunën, reforma në drejtësi. Ti japim jetë në mandatin e 3 reformës në drejtësi, me votë. Ska kohë për të pushuar, Shqipëria është e ardhmja jonë votoni PS”, tha Nikolla ndër të tjera.
Kryeministri Edi Rama ishte në Lezhë. Të pranishëm ishin edhe të gjithë kandidatët për deputetë të PS-së, me në krye drejtuesin politike Lindita Nikolla. Rama ishte gjithashtu në Shkodër.
Rama deklaroi se Shqipëria do të bëhet eksportues neto i energjisë, duke theksuar se s’do të harxhojmë më asnjë lek për energji por do të fitojmë duke e shitur atë.
Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në Shkodër, Edona Bilali tha se njerëzit as nuk e besonin se ishte ajo do të merrej me politikë. Bilali tha se ajo nuk mund të ndihej rehat në vendin e saj të punës, kur qyteti është mbuluar nga një re gri.
Kandidati i renditur i treti i PS-së në Qarkun Shkodër, Benet Beci, tha se plani i PS-së është që në mandatin e ardhshëm të impletojmë një sërë projektesh që do të transformojnë të gjithë zonën.
Drejtuesi politik i PS-së në Shkodër, Ilir Beqaj, ftoi shkodranët që të bëhen bashkë për ta ndryshuar Shkodrën.