Kandidatët e LSI zhvilluan të enjten disa takime elektorale në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ishte në Laprakë.
“Rrugën e ndryshimit nuk e ndal dot askush, as Edi Rama dhe asnjë tjetër, ndryshimi është në të gjithë Shqipërinë”, tha ajo.
Ajo zhvilloi një takim edhe në njësinë 11.
“Që nga djegia e mandateve ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë përballë një presioni shumë të madh. Kemi qenë përballë presionit mediatik, kemi qenë përballë presionit ndërkombëtar, kemi qenë përballë presioneve institucionale, por mbi të gjitha kemi qenë përballë presionit me vetveten”, tha Kryemadhi.
Nënkryetari i LSI Petrit Vasili zhvilloi takime në Kavajë.
“Me djemtë e shkëlqyer dhe sypatrembur të Kavajës, që e presin me padurim 25 prillin, për të shporrur tradhëtarët dhe batakçinjtë e rilindjes”, tha Vasili.
Kandidati për deputet i LSI në qarkun e Durrësit, Enon Karapici ishte në takim me anëtarë të Shoqatës së Detarëve Durrës, për të diskutuar mbi problematikat dhe nevojat e tyre.
“Ata e kanë të nevojshëm një ambient ku të shpalosin materialet e stendat që kanë, pasi ato janë pjesë e rëndësishme e kulturës tonë. Kjo do t’i shërbejë qytetit dhe të rinjve për ta ruajtur këtë traditë mesdhetare”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm të LSI Tiranë, Klevi Poajana në një deklaratë për media tha:
“Kur na ndajnë dhe 10 ditë nga referendumi mbarë popullor i 25 prillit, dita e ndryshimit te madh dhe fitores për çdo shqiptar anë e mban vendit, batakçinjtë e ‘Rilindjes’ organizojnë ‘festa partiake’ në mënyrë të paligjshme dhe të fshehtë me qëllim manipulimin e të rinjve”.