Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha të enjten se nuk e sheh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po bën fushatë në Shqipëri.
Ai tha se është një përpjekje të Edi Ramës për t’u imponuar si lider global.
“Unë nuk e shoh Albin Kurtin të bëjë fushatë në Shqipëri por një përpjekje të Edi Ramës për t’u imponuar si lider global dhe ndërkohë kjo e ka çuar drejt dështimit me cdo angazhim të politikës shqiptare. Sa vende ka ndihmuar Shqipëria që Kosova të njihet, në cilat institucione ka ndihmuar të anëtarësohet”, tha Basha.
Basha tha se Turqia është një aleat dhe partner në NATO me të cilën Shqipëria ka dhe duhet të zhvillojë marrëdhënie bilaterale.
Kreu i PD tha se pavarësisht nga përpjekja për personalizim të marrëdhënieve, “kryeministri në ikje ka dështuar dhe në politikën e jashtme si në cdo fushë për të prodhuar të mira për qytetarët, ka prodhuar negativitet dhe komplikime edhe aty ku politika shqiptare zakonisht ka qenë e bashkuar, si në rastin e Kosovës dhe politikës rajonale”.
Basha tha se prioritet absolut i politikës së jashtme do të jetë mbështetja e Kosovës në njohjen nga vendet që nuk e kanë njohur, njohjen në institucionet ndërkombëtare dhe shkrirjen në një të ekonomive tona.