Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve KQZ i kërkoi të dielën përmes një letre, dy partive të mëdha PD dhe PS, që të heqin posterat elektoral nga godinat publike dhe për të ndaluar gjuhën denigruese ndaj kundërshtarëve.
KQZ shprehet në letër se PD dhe PS nuk i kanë zbatuar rregullat e vendosura për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
Në letrën e KQZ thuhet se “ndalohet në mënyrë taksative afishimi i materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucionet publike apo ambientet rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit, gjë të cilën, sipas këtij institucioni, PD nuk e ka zbatuar”.
KQZ i kërkoi PD-së të heqë menjëherë të gjitha materialet e vendosura në këto ambiente.
Ndërsa për PS KQZ shkruan në letër se partitë politike duhet të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të qetë dhe të mos përdorin retorika denigruese ndaj kundërshtarëve.
Duhet të tregojnë vetëpërmbajtje gjatë dhënies së mesazheve politike, edhe nëpërmjet materialeve propagandistike, tha KQZ.
“Duke marrë shkas nga fakti i bërë publik i afishimit të dy materialeve propagandistike elektorale, në Bashkinë Gjirokastër, ju kërkojmë të merren masa të menjëhershme për heqjen e tyre”, thuhet në kërkesën e KQZ drejtuar PS-së.