Kryeministri Rama, në takimin elektoral në Elbasan, ndau publikisht të dhënat e kartës së tij të identitetit, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk është aspak problem.
Ai i quajti akuzat e fundit në drejtim të PS për vjedhje të të dhënave personale nga platforma E-Albania një “përpjekje e tërbuar” për t’i futur njerëzit në ankth.
“Tani unë jam marr me vete kartën e identitetit dhe dua t’u lexoj numrin tim të identitetit, të gjithë atyre që janë shqetësuar nga kjo përpjekje e tërbuar për t’u futur në siklet për t’u futur ankthin sikur cfarë ka ndodhur,” pohoi Rama.
Më pas kryeministri ironizoi presidentin Meta, i cili më herët deklaroi se i kishin marr të dhënat e kartës.
“Po ne dimë shumë gjëra të tjera për ty dhe ai numri nuk i duhet as dreqit,” u shpreh Rama.
Ai u tha të pranishmëve se karta shërben vetëm si mjet identifikimi dhe nuk përmban të dhëna shtesë, si karta në vendet evropiane.
“Kjo është si me të marr targën e makinës,” deklaroi Rama.