Shqipërinë e ndajnë vetëm 24 orë nga zgjedhjet e përgjithshme, ku qytetarët do të vendosin në kutitë e votimit, qeverinë për 4 vitet e ardhshme.
E shtuna është heshtje zgjedhore, ç’ka nënkupton se partive apo kandidatëve u ndalohet çdo lloj aktiviteti elektoral, nëpërmjet mediave, apo zhvillimi i ndonjë takimi, fushate.
KQZ gjobit me 500 000 lekë partitë që e shkelin heshtjen zgjedhore, ndërsa mediat me 2 000 000 lekë.
Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama kërkojnë në këto zgjedhje një mandat të tretë, pas 8 vitesh pushtet. Argumenti i PS i përdorur gjatë fushatës ishte se “duhet të çojmë përpara punën e lënë në mes” dhe se vendi u godit nga tërmeti dhe pandemia, prandaj punët ngelën në gjysme.
Po ashtu u mbështet në argumentin se PD nuk është zgjedhja e duhur duke thënë se “nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”. PS futi në listat e saj edhe emra të rinj si Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, për të personifikuar “sfidat e qeverisë”, tërmetin dhe pandeminë.
Partia tjetër më e madhe në vend, Partia Demokratike kërkon pushtetin, duke renditur “dështimet e qeverisë socialiste”.
PD ka prezantuar programin e saj elektoral, me fokus ekonominë dhe fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, bujqësia. Kreu i saj Lulzim Basha është shprehur se “ndryshimi do të vijë vetëm me largimin e Edi Ramës”.
PD shkon në zgjedhje së bashku me partitë aleatë të opozitës, “Aleanca për ndryshim”.
Ndërsa LSI është në listë më vete, partia e tretë më e madhe në vend. Por ashtu dhe LSI renditi të njëjtat argumente kundër qeverisë aktuale, dhe zotohet për ndryshim.
Në këto zgjedhje ka disa parti të reja që janë bërë pjesë e garës: Nisma Thurrje e cila ka prezantuar 33 projektligje që parashikon t’i dërgojë në Kuvend.
Më pas ka parti të tjera të krijuara nga politikanë të vjetër, pjesë e partive si PD, PS dhe LSI.
Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Partia Social Demokrate Tom Doshi, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare Myslim Murrizi, Partia Lëvizja e Re, Partia Aleanca Demokracia e Re.
Në këto zgjedhje kandidojnë dhe 4 kandidatë të pavarur.
Në Dibër është Elton Debreshi, minator dhe sindikalist. Ai u bë pjesë e zgjedhjeve për të dërguar në Kuvend kërkesën shumëvjeçare të minatorëve, që është miratimi i Statusit të Minatorit. Në programin e tij Debreshi ka disa pika kryesore, si Statusi i Minatorit, Të drejtat shoqërore, të drejtat e punëtorëve etj.
Kandidatë të tjerë të pavarur janë Kreshnik Merxhani, Boiken Abazi dhe Iliaz Shehu. Ata mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, e cila nuk është e regjistruar si parti ende por vetëm si OJF. Prandaj në këto zgjedhje ata vendosën të marrin pjesë si të pavarur dhe jo si parti.
Në zgjedhjet e së dielës do të testohet për herë të parë votimi elektronik në Shqipëri, i cili do të bëhet vetëm në Tiranë. Po ashtu këto zgjedhje zhvillohen në kohë pandemie dhe do të ketë masa për të mos lejuar grumbullimin e njerëzve, megjithëse këto rregulla u shkelën nga partitë gjatë fushatës.
Deri më tani gjatë fushatës zgjedhore u shënuan disa incidente mes simpatizantëve të partive. Njëri prej tyre bëri që një person të humbte jetën, Pjerin Xhuvani i cili vdiq gjatë një konflikti me armë në Elbasan.