Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari për politikat e jashtme të ish-Presidentit amerikan Trump ka themeluar një organizatë të quajtur Instituti Abraham i Paqes dhe Marrëveshjeve, për të punuar në hartimin e marrëveshjeve të normalizimit midis Izraelit dhe vendeve Arabe.
Marrëveshjet u nënshkruan në shtator 2020, ishin padyshim arritja më e madhe e politikës së jashtme të Trump dhe përparimi më i madh për marrëdhëniet midis Izraelit dhe botës Arabe për 25 vjet.
Organizata jopartiake, jofitimprurëse ka një mandat pesë-vjeçar dhe financohet përmes dhurimeve private.
Sipas një deklarate, ajo do të përqëndrohet në rritjen e tregtisë dhe turizmit midis pesë vendeve nënshkruese – Izraeli, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku dhe Sudani – dhe zhvillimin e programeve për të nxitur lidhjet midis njerëzve.
Organizata do të “sigurojë analiza të përfitimeve të normalizimit dhe përfitimeve të mundshme që vendet e tjera arabe mund të marrin nëse ato bashkohen në Marrëveshjet e Abrahamit”.
Kushner e ka themeluar institutin me ish të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë Avi Berkowitz, i cili ndihmoi në negocimin e marrëveshjeve; biznesmenin izraelito-Amerikan dhe donatori demokrat Haim Saban; dhe tre diplomat: ambasadorët e Emirateve dhe Bahreinit në Uashington, Yousef Al Otaiba dhe Abdulla R.Al-Khalifa dhe Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi.
Bordi është ende duke u formuar dhe pritet të përfshijë përfaqësues nga Maroku dhe Sudani. Themeluesit gjithashtu duan të shtojnë më shumë demokratë dhe këshilltarë nga rajoni.
Drejtori ekzekutiv do të jetë Rob Greenway, ish-këshilltari i lartë për Lindjen e Mesme në këshillin e sigurisë kombëtare të Donald Trump.
Nderkohë, Presidenti Biden foli të martën me Princin e Kurorës Emirate Mohamed bin Zayed dhe tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit ishte i një rëndësie strategjike për Sh.B.A.