Vendet anëtare të BE kanë miratuar aplikimin e metodologjisë së re të zgjerimit për Malin e Zi dhe Serbinë.
Njoftimi u dha nga Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi me anë të një postimi në Twitter.
“Qëllimi është ta bëjmë procesin më të besueshëm, të parashikueshëm, dinamik, dhe me një orientim politik më të fortë,” shkruan ai.
Çfarë është metodologjia e re ose e rishikuar e zgjerimit?
Komisioni Europian miratoi marsin e vitit të kaluar metodologjinë e rishikuar të zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e formalizoi në kuadrin negociues të dy vendeve.
Njëkohësisht, u la mundësia që kuadri i ri të aplikohej edhe për Malin e Zi dhe Serbinë, në rast se këto të fundit do të pranonin.
Për të formalizuar këtë hap duhej edhe miratimi i shteteve anëtare të BE-së.
Metodologjia e rishikuar nënkupton një kontroll më të fortë në plotësimin e kritereve për integrim të vendeve të Ballkanit, jo vetëm nga Komisioni Europian, por edhe nga vendet anëtare.
Sundimi i ligjit do të bëhet edhe më thelbësor në negociatat e pranimit të këtyre vendeve.
Reformat antikorrupsion, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike do të marrin rol qëndror deri në përfundimin e procesit.
Një shembull se si metodologjia e re ndikon në procesin e integrimit është fakti që si Mali i Zi dhe Serbia kanë përmbushur formalisht standardet për negocimin e kapitujve 23 dhe 24.
Për shkak se këto artikuj kanë lidhje direkte me sundimin e ligjit, dy vendeve u janë caktuar kritere shtesë.
Kjo, pasi reformat e zbatuara nuk janë ende në standardet e kërkuara nga BE.
Me metodologjinë e re, nuk mund të negociohet asnjë kapitull tjetër deri në përmbushje të të gjithë kritereve që kanë lidhje me sundimin e ligjit.
Por këto kritere do të jenë subjekt kontrolli i vazhdueshëm dhe integrimi nuk mund të arrihet, veçse duke hapur të gjithë kapitujt e Acquis Communitare.
Në këtë mënyrë, BE shpreson se metodologjia e re do t’i shtyjë vendet e Ballkanit t’i dedikohen seriozisht reformave demokratizuese.