Tre anëtarë të një familjeje nga Gjilani kanë humbur jetën pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi.
E moshuara 78 vjeç, djali i saj 56 vjeç dhe bashkëshortja e tij 57 vjeç, kanë qenë duke pushuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit ku dyshohet se kanë konsumuar kërpudha helmuese, sipas burimeve nga polica.
Dyshohet se ata i kanë mbledhur kërpudhat në pyll dhe më pas i kanë konsumuar në banesën e tyre ditën e mërkurë të kësaj jave.
Tre pjesëtarët e familjes janë paraqitur në ambulancën e Manzës paraditen e të enjtes.
Ata janë dërguar në spitalin e Durrësit por pasi gjendja shëndetësore u rëndua u transportuan në Tiranë ku humbën jetën të premten.
Pritet ekspertiza për të sqaruar çfarë ka ndodhur me tre viktimat.
Ndërkohë janë nën hetim nga prokuroria për akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”, dy mjekë në Manëz.
Familja Haliti nga Gjilani ka njoftuar mbajtjen e një konference për media lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të saj në Shqipëri.