Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se “shërbimi informativ ka orë të tëra përgjimesh të ministrave të Ramës, duke shkelur ligjin, që do të mjaftonin për t’ju vënë prangat dhe për t’i çuar tani si të pandehur para drejtësisë”.
Nga Fieri, ndalesa e tretë e turit të tij në vend, të premten, Basha akuzoi Komisionin e Ankesave në KQZ se nuk ka pranuar të marrë këto prova nga policia dhe nga shërbimi informativ.
“Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore”, u shpreh Basha.
Ai theksoi se “zgjedhjet nuk do të njihen, objektivi ynë politik është rrëzimi një orë e më parë i regjimit Rama-Doshi”.
Basha qartësoi se me qeverinë Rama “nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, por vetëm betejë, asnjë minutë paqe deri në shporrjen e tij dhe deri në kthimin Shqipërisë shqiptarëve”.
Kryedemokrati u shpreh se “Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, […] betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë”.