Ministria e Brendshme njoftoi të mërkurën se Gjermania ka ndaluar tre shoqata që akuzohen për financim të grupit militant Hezbollah, që mbështetet nga Irani.
Tre shoqatat e ndaluara janë “Deutsche Libanesische Familie”, “Menschen für Menschen” si dhe “Gib Frieden”, sipas një raportimi nga Euroactive.
Ato akuzohen se nën petkun e qëllimeve humanitare, kanë mbledhur ndihma në Gjermani për “familjet martire” të Hezbollahut në Liban dhe kanë promovuar luftën ndaj Izraelit.
Policia kreu bastisjet herët në mëngjes në disa ndërtesa në shtatë shtete gjermane, tha një zëdhënës i ministrisë në Tëitter.
“Ata që mbështesin terrorin nuk do të jenë të sigurt në Gjermani. Pavarësisht se me çfarë maskara shfaqen mbështetësit tanë, ata nuk do të gjejnë një vend strehimi në vendin tonë, ” shtoi zëdhënësi i ministrisë.
Gjermania ndaloi Hezbollahun në tokën e saj, duke e përcaktuar si organizatë terroriste vitin e kaluar.
Vetëm dy javë më parë, Gjermania ndaloi një tjetër organizatë myslimane, Ansaar International, me qendër në Dyseldorf, me akuzën për financim të grupeve terroriste jashtë vendit përfshirë Frontin Al-Nusra në Siri, Hamasin Palestinez (i cili është në listën e zezë të terrorizmit të BE-së) dhe Al-Shabab në Somali.
Edhe kjo shoqatë proklamonte se mblidhte ndihma humanitare për në Liban, Palestinë dhe Sudan.