Gjermania dhuroi të mërkurën 150 mijë teste të shpejta antigjen për Kosovën, me një vlerë prej 600 mijë Euro.
“Gëzohem që donacioni ynë do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor të Kosovës në luftën kundër pandemisë,” u shpreh ambasadori gjerman në vend, Jorn Rohde.
Ai shtoi se zbulimi i rasteve të reja me Covid-19 dhe parandalimi i virusit mbetej një masë e rëndësishme.
Rohde ritheksoi se Gjermani do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kosovës.
Donacionet u pritën nga minsitri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili falenderoi Gjermaninë për ndihmën dhe theksoi se qëllimi i qeverisë ishte vaksinimi i 60% të popullsisë deri në mbyllje të vitit.
“Kjo mbështetje e Gjermanisë do të na ndihmojnë të gjithëve për të ecur përpara me kujdes dhe krahas testimeve dhe gjurmimeve të rasteve me COVID19, shifrat e vaksinimit do të vazhdojnë dhe synimi ynë për të vaksinuar 60% të qytetarëve deri në fund të vitit 2021 mbetet një përqendrim kyç,“ deklaroi Vitia.
Sipas një raporti të medias kosovare KOHA, Gjermania ka ndihmuar Kosovën me pajisje mjekësore, me vlerë prej 4.72 milionë €, një mision të gjerë ekspertësh nga Instituti Robert-Koch, një kontribut të rëndësishëm në vlerë mbi 5 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës si dhe donacione për grupet e dizavantazhuara.