Kryeministri Rama: Reuters dhe Fox News “manipulim mediatik dhe propagandë balte”

Kryeministri Rama: Reuters dhe Fox News “manipulim mediatik dhe propagandë balte”

Kryeministri Rama ka mohuar, sot, çdo lloj lidhje me skandalin e pagesës së fondeve përmes një shqiptaro-amerikani, me qëllim pjesëmarrjen në një aktivitet elektoral të Presidentit Obama.

Përmes një deklarate të Drejtorisë së Komunikimit në Kryeministri, Zoti Rama është shprehur se “as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve njoftoi, para dy ditësh, se nënshtetasi amerikan Bilal Shehu ka pranuar se ka marrë para nga një burim i huaj me të cilat ai ka bërë—duke shkelur në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme ligjin elektoral të SHBA-ve—një dhurim për fushatën elektorale të Presidentit Obama. Njoftimi i Departamentit teë Drejtësisë saktëson se qëllimi i dhurimit ishte të sigurinte përmes tij pjesëmarrjen e nënshtetasit të huaj në një darkë për ngritje fondesh të organizuar nga Presidenti Obama në tetor 2012 në San Françisko.

Agjencia më e madhe ndërkombëtare e lajmeve Reuters dhe rrjeti më i madh televiziv amerikan Fox News, si dhe një sërë mediash lokale të shtetit të Nju Xhersit, e identifikuan personin e huaj si kryetarin socialist shqiptar Edi Rama.

Referuar këtyre mediave të huaja, lajmi i skandalit u përcoll kryesisht nga disa media online në Shqipëri, por nga asnjë nga mediat kreysore të vendit.

Njoftimi i Kryeministrisë i sulmon mediat që kanë lidhur atë me skandalin si “manipulim mediatik dhe propagandë e baltës”.

Pastaj, në mënyrë të pakuptimtë, njoftimi sqarues i Kryeministrit kalon në sulme ndaj opozitës në lidhje me reformën në drejtësi, të cilat zënë në fakt rreth dy të tretat e njoftimit.

Sqarimi i Zotit Rama, i cili në mënyrë të pazakontë është bërë nga Drejtoria e Komunikimit në Kryeministri dhe jo nga ai vetë, nuk sqaron dy pikëpyetje të rëndësishme:

  1. Pse dy nga agjencitë më të rëndësishme të botës, duke raportuar nga Nju Jorku, përmendën emrin e tij si personi që kishte paguar në mënyrë të paligjshme 80 mijë dollarë për të dalë në fotografi me Presidentin Obama?
  1. Nëse raportimi i mediave është i pavërtetë, në çfarë rrethanash është bërë, atëhere, fotoja e tij me presidentin Obama? Ose më saktë, si shpjegohet që ai ka bërë një foto me Zotin Obama pikërisht në vendin ku do të zhvillohej darka për të cilën Bilal Shehu është akuzuar se ka dashur të fusë një nënshtetas të huaj me biletën e blerë me paratë e dhëna nga ky shtetas i huaj? Është kjo një koencidencë fatkeqe?

 

Njotimi i Departamentit Amerikan të Drejtësisë për rastin mund të lexohet këtu.

Artikulli i agjencisë Reuters mund të lexohet këtu.

Artikulli i rrjetit televiziv Fox News mund të lexohet këtu.

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>