Cilat janë rregullat për zgjedhjet në PD?

Nga Exit News
Cilat janë rregullat për zgjedhjet në PD?

Partia Demokratike do të hapë më 24 maj garën për kryetar partie. Kandidatët për kryetar partie janë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj.

Kryesia e PD-së publikoi të dielën, rregulloren për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 qershor. Rregullorja është:

Fushata zgjedhore për kryetar të PD-së fillon më datë 24 Maj 2021 dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, më datë 12 qershor.

Të drejtën e votës e kanë të gjithë anëtarët e partisë me të drejtë vote.

Në Komisionin Zgjedhor, secili kandidat brenda datës 25 Maj 2021 cakton nga një vëzhgues të tij të përhershëm.

Kandidatët janë të lirë të paraqesin programin e tyre në çdo formë dhe mënyrë të ligjshme, përpara strukturës së partisë dhe anëtarëve të partisë.

Në Komisionet e Votimit dhe të Numërimit secili kandidat cakton nga një anëtar vëzhgues.

Degët e Partisë janë përgjegjëse për organizimin e takimeve me anëtarësinë të kandidatëve sipas një grafiku që dërgohet paraprakisht nga Sekretariati Organizativ i Partisë.

Stafi i secilit kandidatit harton grafikun e takimeve dhe e koordinon atë me Sekretariatin Organizativ të Partisë përpara se tu dërgohet Degëve për zbatim.

Gjatë fushatës zgjedhore çdo kandidatë ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike bën pasqyrimin në mënyrë të barabartë të aktivitetit të secilit kandidat gjatë fushatës zgjedhore.

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike merr masat për pasqyrimin e barabartë të fushatës zgjedhore të secilit kandidat.

Secili kandidat ka të drejtë të përdor ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike apo selitë e Degëve të partisë në rrethe për aktivitete të tij gjatë fushatës zgjedhore apo për komunikimin me mediat.

Sekretari i Përgjithshëm kujdeset që administrata e selisë qendrore dhe Degët e Partisë ti krijojnë kushtet dhe aksesin e barabartë të gjithë kandidatëve për realizimin e kësaj të drejte.

Procesi i votimit:

Kryesia e degës së PD-së organizon procesin e votimit për Kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet me datë 13.06.2021. Në çdo degë të PDSH-së ngrihet një qendër votimi.

Përjashtimisht, në degët me më shumë se 2500 anëtarë ngrihen dy qendra votimi.

Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni Zgjedhor me propozim të kryesive të degëve jo më vonë se data 07.06.2021.

Në selinë qëndrore të PDSH do të ngrihet qendra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën do të votojnë anëtarët e degës, anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.04.2021, me banim në Tiranë.
Komisioni i Votimit dhe Numërimit përbëhet nga 3 anëtarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat.

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse.

Kryesia e degës përcjell përbërjen e Komisionit, sëbashku me të dhënat e kontaktit të secilit anëtar në Komisionin Zgjedhor, brenda datës 03.06.2021.

Fleta e votimit miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo më vonë se 7 ditë para datës së zgjedhjeve.

Renditja e kandidatëve do të bëhet me short në Komisionin Zgjedhor në prani të përfaqësuesve të kandidatëve.

Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit nënshkruan dhe vulos çdo Fletë Votimi.

Materialet e votimit terhiqen ne Seline Qendrore te PDSH-se brenda ores 16:00 te dates 12/06/2021, nga Kryetari i Komisionit, i cili mund të shoqërohet edhe nga anëtarët përfaqësues të kandidatëve, nëse këto të fundit dëshirojnë.

Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Listat e anëtarëve që kanë të drejtën e votimit përgatiten nga Sekretariati Organizativ i Partisë, të paktën 48 orë përpara ditës së miratimit nga Komisioni Zgjedhor.

Nëse një anëtar Partie, për arsye të ndryshme nuk është hedhur në Sistemin Elektronik të Antarësisë duhet të paraqitet me mjet identifikimi edhe me Kartë Antarësie të rregullt.

Mbyllja e procesit të votimit:

Nëse ndonjë nga anëtarët e Komisionit ka kontestim apo vëren ndonjë problematikë në procesin e numërimit, ai kontakton Komisionin Zgjedhor dhe i shpreh shqetësimin.

Në përfundim të procesit të Numërimit, Komisioni i Votimit dhe Numërimit, harton procesverbalin e procesit të votimit dhe numërmit.

Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët e Komisionit të Votimit dhe Numërimit.

Me hartimin e procesverbalit përfundimtar të zgjedhjeve, Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit, si dhe përfaqësuesit e kandidatëve, dorëzojnë në Komisionin Zgjedhor deri në orën 08:00 të datës 14.06.2021.

Komisioni Zgjedhor pasi administron procesverbalet dhe materialet zgjedhore, në prani të mediave dhe përfaqësuesve të kandidatëve bën përmbledhësen e votave për secilin kandidat dhe shpall zyrtarisht brenda datës 14.06.2021 fituesin e garës për Kryetar të PDSH-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>