Një nga argumentet e përdorura shpesh nga opozita javët e fundit, për të kërkuar shpalljen të pavlefshme dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në disa qarqe, ka qënë identifikimi i një numri zgjedhësish me të njëjtën shenjë gishti.
“Shenjat e gishtërinjve e 47 personave, janë përdorur për identifikimin e 312 zgjedhësve, çka do të thotë, ka dyshim që një person ka votuar shtatë herë për person, kjo cënon procesin zgjedhor,” u shpreh avokati i PD-së, Marash Logu të premten.
Por, a tregon domosdoshmërisht votim të shumëfishtë identifikimi i disa zgjedhësve me të njëjtën shenjë gishti, në një qendër votimi?
Ky problem u shpjegua nga Zëvendës Komisionerja Shtetërore, Lealba Pelinku, e thirrur më 19 maj nga KAS për llogari të subjekteve politike, PD dhe LSI.
Pelinku u propozua nga PD, në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit, si personi që do të ishte përgjegjës për mbikqyrjen e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje.
Ajo deklaroi se sistemi, përmes kryqëzimit të të dhënave, arrin të kapë personat që kanë votuar në qendra të ndryshme votimi, më shumë se një herë.
Në fakt, ajo konfirmoi një rast të tillë, të kapur në qarkun Gjirkastër, ku një anëtar i KQZ-së kishte votuar si në qendrën e tij të votimit, edhe në qendrën ku ishte caktuar të shërbentë si administratë zgjedhore.
Pelinku theksoi se rasti po hetohej nga Prokuroria, pasi personi kishte abuzuar me lehtësinë e krijuar nga ligji, që komisionerët të votojnë në qendrën ku shërbejnë.
Ajo konfirmoi se sistemi i identifikimit elektronik lë hapsirë për votimin e shumëfishtë. Pra, që i njëjti person të votojë në të njëjtën qendër votimi me karta të ndryshme identiteti, duke lënë disa herë shenjat e tij të gishtrinjëve.
Në realitet, Pelinku e hodhi poshtë mundësinë që kjo të ketë ndodhur. Sipas të dhënave të KQZ-së, rastet e gjurmës së gishtrinjëve të përdorur për të identifikuar një numër të madh zgjedhësish, u përkasin operatorëve të pajisjes.
Ata janë ndeshur me raste ku ka qënë e pamundur regjistrimi i shenjës së gishtrinjëve, kryesisht në personat në moshë dhe kanë vendosur shenjat e tyre të gishtit për të mbyllur procesin.
Për raste të tilla, KQZ është vënë në dijeni me telefon dhe ekzistojnë procesverbalet që e vërtetojnë.
Pelinku sërish pohoi se procedura nuk ishte e rregulltë dhe do të duhej të hetohej për të standardizuar procesin, por ajo nuk tregonte votim të shumëfishtë.
Në fakt, një tjetër garanci që jep sistemi për shkurajimin e votimeve masive nga i njëjti person, lidhet me praninë e komisionerëve dhe vëzhguesve të partive opozitare.