Gjermania njohu zyrtarisht si gjenocid masakrën e kryer në fillim 1900 në Namibinë e sotme. Qeveria gjermane kërkoi falje për ngjarjen, të premten.
Kjo është hera e parë që Gjermania i pranon vrasjet masive si gjenocid. Vendimi erdhi gjashtë vjet pas nisjes së negociatave midis qeverive gjermane dhe namibiane, sipas New York Times.
“Si një gjest i njohjes së vuajtjeve të pamatshme të shkaktuara viktimave, ne duam të mbështesim Namibinë dhe pasardhësit e viktimave me një program të konsiderueshëm prej 1.1 miliardë eurosh për rindërtimin dhe zhvillimin,” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas të premten .
Gjermania pushtoi Namibinë nga viti 1884 deri në vitin 1915.
Midis 1904 dhe 1908, ushtarët gjermanë vranë dhjetëra mijëra njerëz që ishin pjesë e grupeve etnike Herero dhe Nama, të cilët “filluan rebelimin më të madh – dhe të fundit – kundër okupatorëve që kishin marrë tokat e tyre”, sipas Times.
Historianët vlerësojnë se deri në 75% të popullsisë Herero dhe gjysma e popullsive Nama u vranë.
Kombet e Bashkuara dhe historianët i kanë quajtur prej kohësh vrasjet masive si gjenocidin e parë të shekullit 20, sipas Reuters.
Presidenti Namibian Hage Geingob e quajti lëvizjen “historike”, por shefi i parë i Herero-s Vekuii Rukoro tha se marrëveshja midis dy qeverive ishte “një fyerje” për shkak të mungesës së dëmshpërblimeve, për Reuters.