Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edit Harxhi është shprehur se e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, pavarësisht se sipas saj vullneti i shqiptarëve është tjetërsuar.
Gjatë një takimi me anëtarë të PD në Berat, Harxhi theksoi se zgjedhjet janë njohur ndërkombtarisht dhe se Partia Socialiste i ka fituar ato.
“Ata kanë fituar sepse ne nuk jemi bashkuar”, deklaroi Harxhi.
Ajo shtoi se PD dështoi të nxjerrë në votime elektoratin ‘gri’ në 25 prill dhe argumentoi se kjo tregohet përmes pjesëmarrjes së njejtë në votime me zgjedhjet e vitit 2017.
“Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 46%, njësoj si në 2017. Pse nuk arritëm ne të nxirrnim elektoratin gri, ne nuk arritëm ta ngrejmë besimin tek ajo pjesë”, tha kandidatja për kryetare e PD-së.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka cilësuar 25 prillin si “masakër zgjedhore”, duke akuzuar PS-në se ka deformuar vullnetin e zgjedhësve. Ai është shprehur nuk do t’i njohë këto zgjedhje dhe se nuk do të presë zgjedhjet e 2025 për të rrëzuar Ramën nga posti i kryeministrit.
Kandidatët e tjerë për kryetar të PD-së, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli, kanë pranuar se ka patur shit-blerje votash në zgjedhje por paralajmëruar opozitë brenda institucioneve nëse ata do të fitojnë garën për kryetar.