Serbia njoftoi sot se ka nisur të prodhojë vaksinën antiCOVID të Rusisë, Sputnik V duke u bërë kështu vendi i tretë në botë pas Rusisë dhe Bjellorusisë që e prodhon atë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se ai dhe Putin do të shikonin përmes një lidhjeje direkte prodhimin e dozave të para në Beograd.
“Pas disa ditësh do të keni dozat serbe që ne do të jemi në gjendje t’u ofrojmë qytetarëve tanë, por edhe të gjithë botës,” u tha Vuçiç gazetarëve.
Presidenti serb shtoi se një projekt i ngjashëm është planifikuar me vaksinën Sinopharm të Kinës.
Katër milionë doza Sputnik V parashikohet të prodhohen në gjashtë muajt e ardhshëm, thanë zyrtarët e cituar nga AFP.
Vaksina ruse deri tani është regjistruar për përdorim në më shumë se 65 vende, por ende nuk është aprovuar nga autoritetet shëndetësore të BE-së ose SHBA-së.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Evropa kishte ngadalësuar procesin e miratimit të vaksinës së Rusisë për shkak të një “beteje për para” dhe se interesat ekonomikë po viheshin përpara mirëqenies së qytetarëve evropianë, raporton The Guardian.
Rusia pret që Organizata Botërore e Shëndetësisë të miratojë vaksinën Sputnik V brenda dy muajsh.