Pas 32 vjetësh nga ndalimi i pronësisë mbi armët automatike, një gjykatës në Kaliforni hodhi poshtë këtë vendim me argumentin se ky “eksperiment” kishte shkelur të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të mbajtur armë.
Gjykatësi i Qarkut të San Diegos, Roger Benitez vendosi të premten se përkufizimi i shtetit për armët të stilit ushtarak privoi kalifornianët, në mënyrë të padrejtë, nga armët e zakonshme, që lejohen në shumicën e shteteve të tjera, si dhe nga Gjykata e Lartë e SHBA-ve.
Sipas një raportimi nga AP, ai lëshoi një urdhër të përhershëm kundër zbatimit të ligjit duke lënë një afat prej 30 ditësh për apelim nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit.
Benitez argumentoi se armët e zakonshme automatike, që në shumicën e rasteve përdoreshin në mënyrë të ligjshme, ishin futur në të njëjtën kategori me armët ushtarake.
“Armët e sulmit të ndaluara nuk janë bazuka, avion, apo mitraloza. Këto armë janë të rrezikshëm dhe vetëm të përdorura për qëllime ushtarake. Përkundrazi, armët e zjarrit që konsiderohen “armë sulmi” janë mjaft të zakonshme, të njohura, moderne,“shkruhet në vendimin e gjykatësit.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për sigurinë publike nga sulmet masive me armë, Benitez vuri në dukje se statistikat tregojnë se vriten 5 herë më tepër persona me armë të ftohta si thika, se sa nga armët automatike.
“Kërkojmë ndjesë nëse dikush është bindur nga mediat dhe të tjerë se vendi është i mbytur me armë vrasëse AR-15. Megjithatë, faktet nuk e mbështesin këtë hiperbolë dhe faktet kanë rëndësi,” argumentoi ai.
Vendimi shkakoi kritikë nga ana e organizatave që kërkojnë kontrollin e përhapjes së armëve, të cilat e quajtën precedent të rrezikshëm.