Maskat nuk do të jenë më të detyrueshme të vishen në ambjente të hapura në Greqi prej ditës së enjte, njoftoi qeveria greke ndërsa komunikoi një sërë vendimesh për lehtësimin e mëtejshëm të masave anti-COVID.
Ministri për Mbrojtjen Civile, Nikos Hardalias njoftoi gjithashtu heqjen e kufizimit të lëvizjes në mbrëmje por shtoi se gjatë kësaj fundjave do të vazhdojë të jetë në fuqi ndalimi i lëvizjes nga ora 1:30 deri në 5:00 të mëngjesit.
Në restorante dhe bare tashmë lejohen deri në 10 persona të ulen në një tavolinë ndërsa aktivitetet në ambjente të hapura mund të zhvillohen me deri në 300 persona.
Nënpunësit civilë janë thirrur të vijojnë punën nga zyra.
Greqia ka hequr ndërkohë kufizimet e udhëtimit me Shqipërinë, megjithatë hyrja në vendin fqinj duhet bërë duke paraqitur vërtetimin e kryerjes së vaksinimit me dy doza ose një test negativ.