Një pronë në bregdetin Adriatik, me mbi 4.5 mijë metra katrorë, është bërë mollë sherri ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.
Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf beach properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës.
Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijët.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.
Sekretari i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës në Komunën e Budvës, Nikolla Pllamenac, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes padisë, kërkohet të përcaktohet se Kosova është pronare e asaj prone.
“Si provë, ata kanë propozuar një marrëveshje për shitblerje nga vitet 1960 në Kotor, me të cilën [prona] është blerë nga Këshilli për Çështjet Sociale, Politike dhe Komunale i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thotë Pllamenac.
Në Gjykatën Themelore në Kotor, thonë se Padia e Republikës së Kosovës, e bërë nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Avokatit të Përgjithshëm, është ngritur në Gjykatën Themelore në Kotor në fillim të nëntorit të vitit 2020, ndërsa palët janë dërguar në takimin e parë me ndërmjetësuesin në fund të prillit.
“Më 4 qershor, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve i ka kthyer gjykatës dosjet e lëndës, pasi ndërmjetësimi ka dështuar. Në periudhën e ardhshme, gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin”, ka thënë zëdhënësi i gjykatës, Spiro Paviqeviq.
Komuna e Budvës thotë se procesi gjyqësor është në fazën fillestare.